Secondary Adv

KLSH: Ndotja e naftës në zonën e Patos-Marinzës po iu shkurton jetën banorëve me 4.5 vite

Një auditim i KLSH zbulon mungesë monitorimi shëndetësor dhe rritje shqetësuese të sëmundjeve në zonën Patos–Marinëz, të ndikuara nga ndotja e industrisë së naftës.

Mungesë monitorimi dhe të dhëna të pjesshme

KLSH thekson se Instituti i Shëndetit Publik nuk ka një raport të përditësuar për gjendjen shëndetësore të popullsisë në zonat naftëmbajtëse. Dokumenti i fundit i ISHP lidhet me incidentin e vitit 2015 në Marinëz dhe nuk pasqyron situatën aktuale. Përtej këtij rasti, nuk është kryer asnjë studim i posaçëm epidemiologjik, ndonëse ISHP pranon se ekspozimi ndaj ndotësve urbanë ndikon në shfaqjen e sëmundjeve respiratore, kardiovaskulare dhe malinje.

 

Sëmundjet kardiovaskulare dhe kanceri në rritje të fortë

Fieri rezulton një nga zonat më të prekura. Prevalenca e sëmundjeve të zemrës luhatet nga 386.8 në 416.5 raste për 10,000 banorë, një nivel i lartë dhe i qëndrueshëm ndër vite. Ndërkohë, sëmundjet malinje janë rritur gati 300% nga viti 2015 në 2024, duke u ngjitur nga 393 raste në 1112. Fieri renditet i dyti në vend për numrin e shtrimeve spitalore për kancer.

 

Diferenca të thella mes raportimeve lokale dhe qendrore

Shifrat e sëmundjeve të zemrës në Roskovec dhe Patos nxjerrin në pah mospërputhje domethënëse. Për periudhën 2021–2024, ISHP raporton 560 raste në Roskovec, ndërsa qendrat shëndetësore të Marinzës dhe Kumanit evidentojnë 1366 raste – mbi dyfishin. Kjo diferencë ngre dyshime serioze mbi saktësinë e të dhënave zyrtare dhe ekspozimin real të komuniteteve pranë puseve të naftës.

 

Jetëgjatësi më e ulët, humbje reale në vite jetë

Bashkia e Fierit dhe ajo e Patosit regjistrojnë ulje të ndjeshme të jetëgjatësisë. Në pesë fshatra pranë Patos–Marinëz mesatarja zbret në 74.51 vjeç, ndërsa në Sheqishte arrin vetëm 68.2 vjeç. Kjo është 4.5 vite më pak se mesatarja kombëtare prej 79.1 vjeç, sipas të dhënave të EUROSTAT, duke treguar një ndikim të dukshëm të ndotjes në vdekshmërinë e parakohshme.

 

Nevoja urgjente për studime dhe masa mbrojtëse

Auditi nënvizon se mungesa e një sistemi të rregullt monitorimi të ndotjes dhe shëndetit publik e ka lënë zonën pa mbrojtje institucionale. Të dhënat mjekësore fragmentare dhe rritja e patologjive të rënda ngrenë nevojën për ndërhyrje të menjëhershme për të vlerësuar rrezikun dhe për të mbrojtur komunitetet që jetojnë në afërsi të puseve dhe gropave ekologjike.

Burimi: Ekofin.al


Më të lexuarat